Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së vizituan Agjencinë për Informim dhe Privatësi

Prishtinë, 25 janar 2024 – Në kuadër të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale, studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar të enjten Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).

Ata janë pritur nga Komisionerja e AIP-së, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku dhe Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë, znj. Lumnije Demi.

Komisionerja dhe Drejtorja e AIP-së i kanë informuar studentët mbi rolin e AIP-së, të drejtat e qytetarëve për qasjen në dokumente publike dhe mbrojtjen e privatësisë. Të gjitha këto çështje janë shoqëruar edhe me raste nga praktika, si dhe i kanë inkurajuar studentët që të raportojnë rastet e tyre në çdo rast të cenimit të të drejtave të tyre.

Në anën tjetër, studentët patën mundësi që t’i parashtrojnë pyetje Komisioneres dhe Drejtores së AIP-së, lidhur me raste, procedura të caktuara dhe çështje të tjera aktuale lidhur me mbrojtjen e privatësisë.

Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.