Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së diskutojnë për barazinë gjinore në fushën e drejtësisë komerciale

Prishtinë, 20 dhjetor 2023 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale ka organizuar punëtorinë e parë për grupin e radhës të Klinikës Ligjore.

Tema e trajtuar përgjatë kësaj punëtorie ishte “Barazia gjinore në fushën e drejtësisë komerciale”, që u prezantua për studentët nga znj. Edona Hajrullahu, specialiste e çështjeve gjinore në Programin Drejtësia Komerciale dhe znj. Leonora Selmani, shefe e Divizionit për Legjislacion në Agjencinë për Barazi Gjinore.

Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin studentët të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit patën mundësi të kuptojnë më tepër për rolin dhe proceset e arritjes së barazisë gjinore, politikat e ndërmarra dhe të planifikuara, rëndësinë e masave afirmative për arritjen e barazisë gjinore dhe në përgjithësi përfaqësimin e grave në profesionet e lira, odat respektive, si dhe Gjykatën Komerciale të Kosovës.

Paraprakisht, në një fjalë rasti për studentët, zv. drejtori i programit të USAID për drejtësinë komerciale, z. Qemajl Mamullakaj, tregoi qëllimin e Programit Drejtësia Komerciale në barazinë gjinore, hapat që kanë ndërmarrë dhe planifikimet për më tutje në këtë drejtim.

Studentët pjesëmarrës patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe ndajnë idetë e tyre lidhur me këtë çështje, duke bërë kështu që kjo punëtori të ishte mjaft interaktive.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, pastaj procesi i monitorimit të seancave gjyqësore dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.