Prishtinë, 26 janar 2024 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar të premten Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Ata janë pritur nga Kryetari i KPM-së, z. Jeton Mehmeti dhe U.D. Kryeshefi Ekzekutiv i KPM-së, z. Faruk Rexhaj.
Kryetari dhe U.D. Kryeshefi i kanë informuar studentët mbi rolin e KPM-së, të drejtat e qytetarëve për parashtrimin e ankesave, mënyrën e trajtimit të këtyre ankesave, procesin e licencimit të mediave dhe çështje të tjera të ndërlidhura me punën e KPM-së. Të gjitha këto janë sqaruar për studentët duke ndarë edhe raste nga praktika.
Në anën tjetër, studentët patën mundësi që të parashtrojnë pyetje dhe të sqarojnë dilema të ndryshme mbi situata të caktuara të aktivitetit medial në Kosovë, procedurën e ankesave, si dhe çështje të tjera të ndërlidhura me edukimin medial dhe punën e mediave në vend.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.