Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së vizituan Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Prishtinë, 29 maj 2023 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar të premten Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

Ata janë pritur nga drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj.

Drejtori i APK-së, z. Buleshkaj i ka informuar studentët për punën dhe mënyrën e funksionimit të APK-së, procedurën e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët shtetëror, për rastet e sinjalizimit dhe procedurën që ndiqet në këto raste, bashkëpunimin institucional që APK ka me organet e tjera të drejtësisë dhe institucionet shtetërore, si dhe elemente dhe specifika karakteristike të rasteve të veçanta.

Në anën tjetër, studentët pjesëmarrës në këtë vizitë patën pyetje të ndryshme sa i përket punës së përditshme që bëhet në APK, deklarimit të pasurisë nga zyrtarët shtetërorë, si dhe sfidave në përgjithësi që APK ka gjatë punës.

Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.