Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së, pjesëmarrës në punëtorinë “Arbitrazhi si mekanizëm alternativ për zgjidhjen e kontesteve”

Prishtinë, 16 maj 2023 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale ka organizuar punëtorinë e tretë për studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së.

Tema e trajtuar përgjatë kësaj punëtorie ishte “Arbitrazhi si Mekanizëm Alternativ për Zgjidhjen e Kontesteve”, që u ligjërua nga arbitri Visar Morina.

Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin studentët të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit patën mundësi të kuptojnë më tepër për arbitrazhin si formë alternative të zgjidhjes së kontesteve, procedurën në përgjithësi, rastet e mundshme për t’u zgjidhur përmes arbitrazhit, rolin e arbitrit dhe aspekte të tjera praktike.

Studentët pjesëmarrës patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të shprehin interesimin e tyre për zgjerimin e mëtejmë të njohurive lidhur me këtë temë.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, pastaj procesi i monitorimit të seancave gjyqësore dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.