Grupi i pestë i studentëve përfundon me sukses programin e Klinikës Ligjore të IKD-së

Prishtinë, 22 qershor 2023 – Studentët e grupit të pestë të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten, kanë përfunduar me sukses edhe aktivitetin e fundit, duke bërë prezantimin e një seance të simuluar gjyqësore në një nga gjykatoret e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Rasti i simuluar është ndërtuar dhe prezantuar nga studentët pjesëmarrës nën mentorimin e stafit të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së. Ndërsa pas përmbylljes së programit, të njëjtit gjatë ditëve në vijim do të pajisen me certifikata për pjesëmarrje të suksesshme në programin e Klinikës Ligjore të IKD-së.

Në kuadër të këtij programi, studentët kanë përfituar njohuri praktike mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë, përmes pjesëmarrjes në shumë aktiviteteve, si: programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit, vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, si dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike falas nga Qendra për Ndihmë Juridike e IKD-së.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.