Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Shoqata e Prindërve të Vetëm lidhin marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë, 20 nëntor 2023 – Të hënën, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Shoqata e Prindërve të Vetëm kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit për avancimin e pozitës dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të prindërve të vetëm në Kosovë.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi u nënshkrua nga znj. Arrita Rezniqi, Menaxhere e Programit në IKD dhe Koordinatore e Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së dhe znj. Arjeta Gashi, Drejtore e Shoqatës së Prindërve të Vetëm.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është promovimi dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të prindërve të vetëm në Kosovë, përmes ofrimit të ndihmës juridike falas, monitorimit të seancave gjyqësore, si dhe aktiviteteve të tjera me qëllim të shkëmbimit të ekspertizës përkitazi me të drejtat e prindërve të vetëm në Kosovë.

Ndryshe, IKD përmes Qendrës për Ndihmë Juridike falas, në vazhdimësi ka përkrahur dhe ofruar ndihmë juridike falas për prindërit e vetëm, me theks të veçantë për nënat vetushqyese.