Prishtinë, 18 maj 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi të martën, ka organizuar trajnimin e tretë të paraparë me plan programin e Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi. Ky trajnim është organizuar në bashkëpunim me programin e USAID-it për Drejtësinë Komerciale.
Për shkak të rrethanave të krijuara nga situata me COVID-19, ky trajnim është mbajtur në mënyrë virtuale.
Tema e trajtuar përgjatë këtij trajnimi të së martës ishte “Përmbarimi privat në Kosovë”, që u ligjërua nga përmbaruesi privat, z. Isa Shala.
Trajnimi është ligjëruar në gjuhën shqipe, ndërsa për pjesëmarrësit serb, ka pasur përkthim simultan në gjuhën serbe.
Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin studentët, të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit patën mundësi të kuptojnë më tepër mbi procedurën përmbarimore, rolin e përmbaruesve dhe praktikat në këtë aspekt.
Trajnimi i së martës është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike falas nga Qendra për Ndihmë Juridike e IKD.