“Ndërmjetësimi”, tema e trajnimit të dytë të organizuar në kuadër të Klinikës Ligjore të IKD

Prishtinë, 30 prill 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi të premten, ka organizuar trajnimin e dytë të paraparë me plan programin e Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi. Ky trajnim është organizuar në bashkëpunim me programin e USAID-it për Drejtësinë Komerciale.

Për shkak të rrethanave të krijuara nga situata me COVID-19, ky trajnim është mbajtur në mënyrë virtuale.

Tema e trajtuar përgjatë këtij trajnimi të së premtes ishte “Zgjidhja Alternative e Kontesteve – Ndërmjetësimi”, që u ligjërua nga ndërmjetësuesit e licencuar, z. Bekim Ismajli dhe z. Taulant Ajazaj.

Trajnimi është ligjëruar në gjuhën shqipe, ndërsa për pjesëmarrësit serb, ka pasur përkthim simultan në gjuhën serbe.

Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin studentët, të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit patën mundësi të kuptojnë më tepër mbi zgjidhjen alternative të kontesteve, rolin e ndërmjetësuesve dhe praktikat në këtë aspekt.

Trajnimi i së premtes është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e ndërmjetësimit në Kosovë.     

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike falas nga Qendra për Ndihmë Juridike e IKD.