“Ndërmjetësimi si mekanizëm alternativ për zgjidhjen e kontesteve”, punëtoria e parë për grupin e pestë të studentëve të Klinikës Ligjore

Prishtinë, 22 mars 2023 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale kanë organizuar punëtorinë e parë për studentët e Klinikës Ligjore.

Tema e trajtuar përgjatë kësaj punëtorie të së premtes ishte “Ndërmjetësimi si mekanizëm alternativ për zgjidhjen e kontesteve”, që u ligjërua nga ndërmjetësuesi i licencuar, avokati Is’hak Ramaxhiku.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin studentët, të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit u informuan nga z. Ramaxhiku mbi zgjidhjen alternative të kontesteve, rolin e ndërmjetësuesve, mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla, praktikat në këtë aspekt dhe zhvillimin që ka pasur instituti i ndërmjetësimit në vitet e fundit në Kosovë.

Në përgjithësi e gjithë punëtoria ishte mjaft interaktive dhe studentët patën mundësi të kuptojnë në mënyrë praktike gjithë procesin e ndërmjetësimin dhe të kuptojnë më shumë nga rastet praktike.

Kjo punëtori është mbajtur në gjuhën shqipe, ndërsa për pjesëmarrësit serb, ka pasur përkthim simultan në gjuhën serbe.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, pastaj procesi i monitorimit të seancave gjyqësore dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD dhe ndërtimi e prezantimi i një gjykimi të simuluar.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.