“Gjykata Komerciale”, punëtoria e radhës për studentët pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së

Prishtinë, 24 prill 2023 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale kanë organizuar punëtorinë e dytë për studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së.

Tema e trajtuar përgjatë kësaj punëtorie të së hënës ishte “Gjykata Komerciale”, që u ligjërua nga nënkryetarja e Gjykatës Komerciale, gjyqtarja Saranda Bogaj – Sheremeti. Ndërsa, paraprakisht këtë punëtori me një fjalë rasti e hapi zv. drejtori i programit të USAID për drejtësinë komerciale, z. Qemajl Mamullakaj.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin studentët, të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit u informuan nga gjyqtarja Bogaj – Sheremeti mbi themelimin, kompetencën dhe funksionimin e Gjykatës Komerciale, mënyrën e trajtimit dhe llojet e lëndëve që pranohen në këtë gjykatë, aspektin praktik të punës veçanërisht në Dhomat e Shkallës së Dytë dhe në përgjithësi zhvillimin që ka pasur e drejta komerciale në vendin tonë.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, pastaj procesi i monitorimit të seancave gjyqësore dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.