Prishtinë, 4 tetor 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të hënën ka organizuar takimin e parë informues për fillimin e punës së grupit të dytë të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Në këtë takim është shpalosur plan-programi dhe mënyra e organizimit të punës së Klinikës Ligjore të IKD-së me grupin e studentëve të vitit të fundit të Fakultetit Juridik.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin studentët, të cilët do të jenë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe që aktivitetet do t’i zhvillojnë në Prishtinë. Të njëjtit arritën të kuptojnë më tepër mbi punën që bëhet nga IKD dhe përfshirjen e tyre në këtë aspekt.
Këta studentë do të kenë mundësi që përmes programit trajnues i cili do të zhvillohet dhe zbatohet nga trajnues me përvojë të gjatë në sistemin e drejtësisë, të ngritin njohuritë e tyre profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Njëkohësisht, përmes procesit të monitorimit, pjesëmarrësit do të njihen për së afërmi me administrimin e proceseve gjyqësore si dhe me procesin e raportimit të monitoruesve nga seancat gjyqësore.
Kurse, me qëllim të përfitimit të njohurive praktike, pjesëmarrësit do të marrin pjesë drejtpërdrejt në procesin e punës në ofrimin e ndihmës juridike falas nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD-së. Në fund, pjesëmarrësit do të realizojnë seancë të simuluar të një gjykimi, ku do të kenë mundësi që të gjitha njohuritë e fituara përgjatë trembëdhjetë javëve të aktiviteteve në Klinikën Ligjore, t’i zbatojnë në praktikë.