Prishtinë, 20 nëntor 2023 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të hënën ka filluar punën me studentët e Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Të hënën është mbajtur një sesion informues lidhur me aktivitetet që do të zhvillohen përgjatë javëve të Klinikës Ligjore, mundësitë që do t’i kenë tutje, si dhe është diskutuar për pritshmëritë e tyre nga ky program.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të programit të Klinikës Ligjore të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së, me mbështetjen e fondeve të UNMIK-ut.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD gjatë pesëmbëdhjetë javëve në vijim, do të jenë pjesë e aktiviteteve të tjera si puna praktike përmes ofrimit të ndihmës juridike falas, procesi i monitorimit në gjykata, vizitat nëpër institucione të caktuara, trajnimet profesionale, punëtoritë me tema të ndryshme dhe ndërtimi e prezantimi i një rasti gjyqësor në formë të gjykimit të simuluar.