Prishtinë, 13 korrik 2021 – Vajza e të ndjerës Sebahate Morina, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, kërkesën me të cilën është propozuar të konstatohet se mosveprimet e autoriteteve shtetërore kanë shkelur të drejtën për jetën të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 2 të KEDNJ dhe që këto mosveprime nuk kanë qenë në pajtueshmëri me nenet 50 dhe 51 të Konventës së Stambollit. Kjo kërkesë është përgatitur në kuadër të Qendrës për Ndihmë Juridike falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës.
Përkitazi me këtë rast, IKD dhe RrGK më 17 mars 2021, patën publikuar edhe një raport, të cilin e gjeni në linkun në vijim: https://kli-ks.org/shteti-me-mos-veprim-privon-nga-jeta-sebahate-sopin/.
Në këtë raport ishin prezantuar gjetjet kryesore dhe shkeljet e institucioneve shtetërore, duke përfshirë edhe rekomandimet për rastin konkret, ku IKD dhe RrGK patën kërkuar nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit që të formojë një grup punues për të hartuar një raport lidhur me shkeljet dhe veprimet e ndërmarra lidhur me këtë rast, me ç’rast ky grup punues duhet të ketë qasje në të gjitha shkresat e lëndës, në mënyrë që ta zbardhë këtë rast në tërësi. Si dhe, në mënyrë që këto raste të mos përsëriten, të formohet një grup punues me ekspertë të fushës për të shqyrtuar Procedurat Standarde të Veprimit në secilën Prokurori Themelore lidhur me procedurën e pranimit, trajtimit dhe ofrimit të ndihmës për viktimat e dhunës në familje. Sipas IKD dhe RrGK, ndërmarrja e këtyre veprimeve është e domosdoshme për të parandaluar praktikat ku shteti dështon në ushtrimin e përgjegjësive të tij, ku si rezultat i kësaj, qytetarët e paguajnë me jetën e tyre këtë dështim.
Ndryshe, që nga 14 marsi 2021, kur e ndjera Sebahate Morina u vra, institucionet përgjegjëse ende nuk kanë ndërmarrë kurrfarë masa për ta adresuar përgjegjësinë institucionale në këtë drejtim.
Për më tepër, edhe institucioni i Avokatit të Popullit në fund të muajit prill 2021, ka publikuar Raportin përkitazi me detyrimet pozitive të shtetit për të drejtën në jetë dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, ku ka konstatuar shkeljet nga institucionet përgjegjëse shtetërore në këtë rast.