Prishtinë, 28 prill 2023 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar të mërkurën Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Ata janë pritur nga Komisionerja e AIP-së, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku dhe U.D. Drejtori ekzekutiv i AIP-së, z. Valon Kryeziu.
Komisionerja dhe U.D. Drejtori i AIP-së i kanë informuar studentët mbi rolin e AIP-së, të drejtat e qytetarëve për qasjen në dokumente publike dhe mbrojtjen e privatësisë, mjetet juridike që kanë në dispozicion në rast të cenimit të të drejtave të tyre, si dhe kanë ndarë raste nga praktika.
Studentët pjesëmarrës patën mundësi që t’i parashtrojnë pyetje Komisioneres dhe U.D. Drejtorit të AIP-së, lidhur me raste, procedura të caktuara dhe çështje të tjera aktuale lidhur me mbrojtjen e privatësisë.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.