Pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së mbajnë trajnimin e parë, me temën “Organizimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë”

Prishtinë, 16 prill 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi të premten, ka organizuar trajnimin e parë të paraparë me plan programin e Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Për shkak të rrethanave të krijuara nga situata me COVID-19, ky trajnim është mbajtur në mënyrë virtuale.

Tema e trajtuar përgjatë trajnimit të mbajtur të premten në kuadër të Klinikës Ligjore të IKD-së ishte “Organizmi i sistemit të drejtësisë në Kosovë”, që u ligjërua nga z. Yll Zekaj, Menaxher i Programit në IKD dhe Koordinator i Qendrës për Ndihmë Juridike të IKD-së.

Trajnimi është ligjëruar në gjuhën shqipe, ndërsa për pjesëmarrësit serb, ka pasur përkthim simultan në gjuhën serbe.

Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin studentët, të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit patën mundësi të kuptojnë më tepër mbi ndarjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, rolin e tyre, ndarjen e punës dhe mënyrën e trajtimit të lëndëve nga institucionet përkatëse.

Trajnimi i së premtes është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.      Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike falas nga Qendra për Ndihmë Juridike e IKD.