Fillon zyrtarisht punën Klinika Ligjore e Institutit të Kosovës për Drejtësi

Prishtinë, 19 mars 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi të premten, ka organizuar takimin e parë informues për fillimin e punës së Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Për shkak të rrethanave të krijuara nga situata me COVID-19, ky takim është mbajtur në mënyrë virtuale. Në këtë takim, koordinatori i Qendrës për Ndihmë Juridike të IKD, z. Yll Zekaj, ka shpalosur programin e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ka prezantuar mënyrën e organizimit të punës së Klinikës Ligjore të IKD-së me grupin e parë të njëzetë (20) studentëve të vitit të fundit të Fakultetit Juridik në Prishtinë dhe atij në Mitrovicë.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin njëzetë (20) studentë, të cilët do të jenë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit patën mundësi të kuptojnë më tepër mbi punën që bëhet nga IKD dhe përfshirjen e tyre në këtë aspekt.

Studentët të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së janë të ndarë në dy grupe, ku një pjesë do ta zhvillojë punën në Mitrovicë të Veriut, kurse pjesa tjetër në Prishtinë.

Këta studentë do të kenë mundësi që përmes programit trajnues i cili do të zhvillohet dhe zbatohet nga trajnues me përvojë të gjatë në sistemin e drejtësisë, të ngritin njohuritë e tyre profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.        

Njëkohësisht, përmes procesit të monitorimit, pjesëmarrësit do të njihen për së afërmi me administrimin e proceseve gjyqësore si dhe me procesin e raportimit të monitoruesve nga seancat gjyqësore.

Kurse, me qëllim të përfitimit të njohurive praktike, pjesëmarrësit do të do të marrin pjesë drejtpërdrejtë në procesin e punës në ofrimin e ndihmës juridike falas nga Qendra për Ndihmë Juridike (QNJ) e IKD-së.