THIRRJE PËR APLIKIM: Për aftësimin e njëzet (20) studentëve të vitit të fundit të Fakultetit Juridik në kuadër të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së

Prishtinë, 14 janar 2022 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi zhvillon aktivitete të ndryshme profesionale me qëllim të aftësimit të studentëve përmes Klinikave Ligjore. Në këtë drejtim, hapet thirrja për aftësimin e grupit të radhës të studentëve të Fakultetit Juridik.

Për këtë qëllim, IKD shpall konkurs për njëzet (20) pozita të hapura për studentë të vitit të fundit të Fakultetit Juridik, për mentorim dhe aftësim në praktikë profesionale juridike, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera relevante.

Pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore do të kenë mundësinë që përmes trajnimeve dhe aktiviteteve praktike të ngritin njohuritë e tyre profesionale për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Studentëve pjesëmarrës u mundësohet që të shohin nga afër zhvillimin e seancave gjyqësore, të jenë pjesë e trajtimit të drejtpërdrejtë të rasteve reale të palëve përfitues të ndihmës juridike falas në Qendrën për Ndihmë Juridike falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), si dhe të jenë pjesë e aktiviteteve të tjera praktike sikurse simulimi i seancave gjyqësore.

Përmes njohurive të fituara në kuadër të programit të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së, studentët do ta kenë më të lehtë përfundimin e Provimit të Jurisprudencës dhe në përgjithësi praktikimin e ligjit në Kosovë.

Ky program zgjat 13 javë, ku orari i aktiviteteve dërgohet dhe elaborohet përgjatë takimit të parë të grupit. Në përfundim të programit, studentët do të marrin certifikata.

Të interesuarit që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij programi, duhet të plotësojnë këto kushte:

  • Të jenë qytetarë të Republikës së Kosovës;
  • Të jenë studentë të vitit të fundit të Fakultetit Juridik;
  • Të mos jenë të dënuar për vepër penale.

Konkursi është i hapur nga data 14 deri më 25 janar 2022.

Kandidatët duhet të jenë të rregullt në aktivitetet e Klinikës Ligjore, në të kundërtën zëvendësohen me pjesëmarrësit e tjerë nga lista pritëse.

Dokumentet e aplikimit:

  • CV personale;
  • Certifikata e notave (ose vërtetimi i notave nga sistemi SEMS);

Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin interesimin e tyre, duke kontaktuar përmes e-mail adresës: [email protected], me titull: Aplikim për Pjesëmarrje në Klinikën Ligjore, ku bashkëngjiten dokumentet e mësipërme të skanuara.

Kandidatët nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë do të kenë përparësi.