Prishtinë, 21 tetor 2022 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi kanë vizituar të premten Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ata janë pritur nga U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi.
U.D. Kryeprokurori, z. Kelmendi, i ka informuar studentët për rolin, organizimin dhe mënyrën e funksionimit të sistemit prokurorial në vend, si dhe sfidat dhe të arriturat këtij sistemi. U.D. Kryeprokurori po ashtu i ka informuar studentët pjesëmarrës mbi profesionin e prokurorit të shtetit dhe sesi duket një ditë e punës së një prokurori në vendin tonë.
Në anën tjetër, studentët pjesëmarrës përgjatë kësaj vizite patën mundësinë të parashtrojnë edhe pyetje të ndryshme sa i përket punës së prokurorëve, sfidave dhe ngritjes profesionale, si dhe patën mundësi të shohin nga afër edhe zyrat e punës së prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.