Prishtinë, 19 tetor 2022 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi dhe zv.Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, z. Betim Musliu, kanë vizituar të mërkurën Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Ata janë pritur nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj.
Kryesuesi i KGJK-së, z. Zogaj i ka informuar studentët për rolin dhe kompetencat e KGJK-së, si dhe sfidat dhe të arriturat e sistemit gjyqësor, veçanërisht në aspekt të ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Kryesuesi Zogaj, po ashtu i informoi studentët mbi angazhimin e KGJK-së për përmirësimin e kushteve të praktikantëve që angazhohen në gjyqësor dhe mundësitë që studentët e rinj kanë për t’u inkorporuar në sistemin gjyqësor.
Në anën tjetër, studentët pjesëmarrës në këtë vizitë patën pyetje të ndryshme sa i përket punës dhe rasteve që trajtohen në gjykatat e vendit, si dhe patën mundësi të marrin këshilla në raport me profesionin e tyre për të ardhmen.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.