Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së vizituan Agjencinë për Informim dhe Privatësi

Prishtinë, 21 dhjetor 2022 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar të mërkurën Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).

Ata janë pritur nga Komisionerja e AIP-së, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku dhe Zv. Drejtori i Përgjithshëm i AIP-së, z. Valon Kryeziu.

Komisionerja dhe Zv. Drejtori i AIP-së i kanë informuar studentët mbi rolin e AIP-së, të drejtat e qytetarëve për mbrotjen e privatësisë, mjetet juridike që kanë në dispozicion në rast të cënimit të të drejtave të tyre, si dhe kanë ndarë raste nga praktika duke ilustruar qartë gjithçka që u interesonte studentëve.

Studentët pjesëmarrës po ashtu patën mundësi që t’i parashtrojnë pyetje Komisioneres së AIP-së dhe Zv. Drejtorit të Përgjithshëm të kësaj Agjencie, lidhur me raste dhe procedura të caktuara dhe njëkohësisht të informohen më shumë sesi të parashtrojnë ankesë pranë këtij institucioni, kurdo që konsiderojnë se u janë cenuar të drejtat e tyre.

Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.