Prishtinë, 22 prill 2022 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Koordinatori i Qendrës për Ndihmë Juridike të IKD-së, z. Yll Zekaj dhe Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar të premten Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).
Ata janë pritur nga drejtori i AKK-së, z. Yll Buleshkaj dhe koordinatorja për komunikim publik e kësaj agjencie znj. Lumnije Demi.
Drejtori i AKK-së, z. Buleshkaj i ka informuar studentët për rolin e AKK-së, procedurën e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët shtetëror, pastaj për rastet e sinjalizimit dhe procedurën që ndiqet në këto raste, e po ashtu edhe për trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit. Z. Buleshkaj po ashtu i informoi studentët edhe për punën e përditshme që bëhet në AKK, sfidat dhe angazhimin kundrejt rritjes së transparencës në këtë institucion.
Në anën tjetër, studentët pjesëmarrës në këtë vizitë patën pyetje të ndryshme sa i përket rasteve të konfliktit të interesit, afateve kohore për trajtimin e rasteve në AKK dhe bashkëpunimin institucional që AKK ka me organet e tjera të drejtësisë.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.