“Arbitrazhi si Mekanizëm Alternativ për Zgjidhjen e Kontesteve”, punëtoria e radhës për studentët pjesëmarrës të Klinikës Ligjore

Prishtinë, 16 maj 2022 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale ka organizuar punëtorinë e tretë për grupin e radhës të Klinikës Ligjore.

Tema e trajtuar përgjatë kësaj punëtorie ishte “Arbitrazhi si Mekanizëm Alternativ për Zgjidhjen e Kontesteve”, që u ligjërua nga znj. Vjosa Shkodra, Arbitre dhe Zëvendësdrejtoreshë e Programit të USAID Drejtësia Komerciale, si dhe znj. Njomëza Zejnullahu, Arbitre dhe Këshilltare e Lartë Ligjore në Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale.

Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin studentët të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit patën mundësi të kuptojnë më tepër për arbitrazhin si formë alternative të zgjidhjes së kontesteve, procedurën në përgjithësi, rastet e mundshme për t’u zgjidhur përmes arbitrazhit si dhe kriteret që duhen përmbushur për t’u zgjedhur si arbitër.

Trajnimi është ligjëruar në gjuhën shqipe, ndërsa për pjesëmarrësit serb, ka pasur përkthim simultan në gjuhën serbe.

Kjo punëtori është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.