Prishtinë, 29 janar 2024 – Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD) të hënën ka organizuar një takim me qëllim të shprehjes së mirënjohjes për të gjithë avokatët që janë treguar të gatshëm për bashkëpunim dhe trajtim të rasteve pro-bono në kuadër të QNJ-IKD për vitin 2023.
Gjatë kësaj ngjarje, koordinatorja e QNJ-IKD, Arrita Rezniqi ka shprehur mirënjohjen për të gjithë avokatët për bashkëpunimin e ofruar, si dhe ka bërë një prezantimin të shkurtër të punës së QNJ-IKD për vitin 2023, pas së cilës secilit prej avokatëve u janë ndarë mirënjohje.
Në anën tjetër, avokatët pjesëmarrës në këtë takim janë deklaruar të gatshëm edhe për bashkëpunim të mëtejmë dhe janë shprehur mirënjohës për përkrahjen e marrë nga QNJ-IKD dhe bashkëpunimin e frytshëm. Vetëm gjatë vitit të kaluar, përmes këtij bashkëpunimi me avokatët, QNJ-IKD ka pranuar zotim për trajtimin e rreth 100 rasteve pro-bono nga avokatët në të gjitha rajonet e Kosovës.
Ndryshe, që nga themelimi, QNJ-IKD ka trajtuar raste të rreth 3,000 palëve nga kategori të ndryshme.
Qëllimi kryesor i QNJ-IKD është ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës për qasje në drejtësi, si dhe të respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut në pajtim me standardet dhe parimet e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë.