Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së vizituan Gjykatën e Apelit

Prishtinë, 27 tetor 2022 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi kanë vizituar të enjten Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Ata janë pritur nga Kryetari i Gjykatës së Apelit, z. Valon Totaj.

Kryetari i Gjykatës, z. Totaj fillimisht u ka prezantuar studentëve ambientet e Gjykatës, duke filluar nga shkrimorja, zyrat e bashkëpunëtoreve profesionalë, sallat e gjykimit, pastaj bibliotekën e Gjykatës, si dhe zyrën e Kryetarit. Po ashtu, studentët, lidhur me aspektin administrativ dhe në veçanti procesin e pranimit dhe regjistrimit të lëndëve, i kanë informuar administratori i gjykatës z. Nysret Arifi dhe shefi i zyrës për menaxhimin e lëndëve, z. Faton Kaçiu. Përgjatë këtyre lëvizjeve nëpër ambientet e Gjykatës, Kryetari Totaj në vazhdimësi ka bashkëbiseduar me studentët, duke njoftuar ata për rolin, organizimin dhe mënyrën e funksionimit të Gjykatës së Apelit.

Në fund të vizitës, Kryetari Totaj i ka pritur studentët për një diskutim të hapur, ku të njëjtit patën mundësi të parashtrojnë pyetje lidhur me trajtimin e lëndëve në Gjykatën e Apelit, sfidat dhe të arriturat e kësaj gjykate dhe të marrin këshilla nga Kryetari Totaj lidhur me profesionin për të ardhmen.

Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.