Prishtinë, 14 dhjetor 2021 – Studentët e Klinikës Ligjore në kuadër të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së, të martën kanë diskutuar për rastet e dhunës në familje, trajtimin institucional të tyre, kornizën ligjore, si dhe mënyrën e ofrimit të ndihmës juridike falas për këto raste.
Studentët pjesëmarrës kanë pasur mundësi të shohin nga a fër edhe mënyrën e funksionimit të Platformës Online të Qendrës për Ndihmë Juridike të IKD-së, për të kuptuar në detaje mënyrën e pranimit dhe trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me baza gjinore.
Të njëjtit janë inkurajuar dhe udhëzuar për hapat që duhet të ndërmerren nëse janë dëshmitarë të rasteve të tilla, si dhe mënyrat e ngritjes së debateve lidhur me këtë temë, në kuadër të rubrikës “Forum”, në Platformën Online të QNJ-IKD.
Platforma Online për Ndihmë Juridike falas është lansuar nga IKD në nëntor të këtij viti, me përkrahje të UN Women Kosovo dhe financim të Bashkimit Evropian dhe ka për qëllim lehtësimin e qasjes në drejtësi, veçanërisht për gratë viktima të dhunës në familje apo të dhunës në baza gjinore.
Ndryshe, ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.