Studentët e Klinikës Ligjore të Qendrës për Edukim Profesional të IKD–së, pjesëmarrës në punëtorinë për ndërmjetësimin

Prishtinë, 30 nëntor 2021 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale kanë organizuar punëtorinë e tretë për studentët e Klinikës Ligjore.

Tema e trajtuar përgjatë këtij trajnimi të së martës ishte “Ndërmjetësimi si mekanizëm alternativ për zgjidhjen e  kontesteve”, që u ligjërua nga ndërmjetësuesja e licencuar, znj. Fatmire Haliti.

Diskutimi në punëtori është zhvilluar në gjuhën shqipe, ndërsa për pjesëmarrësit serb ka pasur përkthim simultan në gjuhën serbe.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin studentët, të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit patën mundësi të kuptojnë më tepër mbi zgjidhjen alternative të kontesteve, rolin e ndërmjetësuesve, rastet më të shpeshta që trajtohen përmes kësaj procedure dhe praktikat në këtë aspekt.

Krahas këtyre, studentët u bënë pjesë e një aktiviteti rekreativ, përmes të cilit ilustruan rëndësinë e këshillave dhe udhëzimeve profesionale kundrejt zgjidhjes së një problemi të caktuar.

Kjo punëtori është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.