Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së zhvilluan vizitë në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar të mërkurën Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ata patën mundësi të shohin nga afër zyrat e Komisioneve Parlamentare, hapësirat e tjera të punës së Kuvendit, hapësirën e vizitorëve, si dhe sallën e Kuvendit të Kosovës.

Gjatë realizimit të vizitës, për studentët ka ofruar udhëzime dhe informacione të vazhdueshme, zyrtarja për edukim qytetar në Kuvend, znj. Blerina Muqolli. Ajo ka informuar studentët mbi hapësirat e ndryshme të Kuvendit, rolin e këtij institucioni, punën që zhvillohet aty, si dhe aktivitetet e ndryshme përfshirë ato artistike të ekspozuara aktualisht në Kuvend.

Në anën tjetër, studentët pjesëmarrës në këtë vizitë patën pyetje të ndryshme sa i përket punës së përditshme të Kuvendit, pjesëmarrjes së qytetarëve dhe transparencës së përgjithshme të Kuvendit në raport me qytetarët e vendit.

Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.