Prishtinë, 10 tetor 2022 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar të hënën Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ata janë pritur nga Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjykatësi Dren Rogova.
Nënkryetari i gjykatës, z. Rogova fillimisht i ka informuar studentët për funksionimin, rolin dhe kompetencën e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Pastaj, i njëjti ka ndarë me studentët edhe përvoja profesionale nga rastet përgjatë përvojës së tij si gjyqtar, duke i informuar kështu studentët më tepër mbi rrjedhën procedurale dhe trajtimin e rasteve të ndryshme konkrete.
E gjithë kjo ngjalli interesim të madh tek studentët pjesëmarrës, të cilët patën mundësinë që t’i parashtrojnë pyetje Nënkryetarit të Gjykatës dhe të kuptojnë shumëçka lidhur me profesionin e gjyqtarit dhe punën e gjykatës në përgjithësi.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.