Prishtinë, 06 dhjetor 2024 – Studentët e programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten kanë vizituar Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ata janë pritur nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani.
Kryetarja e Gjykatës, znj. Caka – Nimani i ka njoftuar studentët lidhur me rolin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, historikun e së drejtës kushtetuese, mënyrën e trajtimit të rasteve, procedurën e vendosjes dhe referimin në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në anën tjetër, studentët pjesëmarrës në këtë vizitë patën pyetje të ndryshme sa i përket gjyqësisë dhe praktikës kushtetuese në përgjithësi, si dhe patën mundësi të marrin këshilla nga Kryetarja e Gjykatës në raport me të ardhmen e tyre profesionale.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit të seancave gjyqësore dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike falas nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.