Prishtinë, 08 prill 2024 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar të hënën Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ata janë pritur nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani.
Kryetarja e Gjykatës, znj. Caka – Nimani i ka njoftuar studentët fillimisht me rrjedhën historike deri në miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për rolin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, mënyrën e trajtimit të rasteve dhe procedurën e vendosjes, si dhe për rëndësinë dhe palët e autorizuara për parashtrimin e kërkesave.
Në anën tjetër, studentët pjesëmarrës në këtë vizitë patën pyetje të ndryshme sa i përket trajtimit të rasteve në Gjykatën Kushtetuese, rolin e tyre potencial në gjyqësinë kushtetuese, si dhe patën mundësi të marrin këshilla nga Kryetarja e Gjykatës në raport me të ardhmen e tyre profesionale.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Ky aktivitet është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).