Prishtinë, 27 mars 2024 – Të mërkurën, studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Ata janë pritur nga Komisionerja e AIP-së, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku dhe Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë, znj. Lumnije Demi.
Komisionerja e AIP-së i ka informuar studentët mbi rolin e AIP-së përkitazi me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, si dhe atë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Po ashtu, gjatë këtij bashkëbisedimi, Komisionerja ka njoftuar studentët edhe me raste nga praktika, si dhe i ka inkurajuar ata që të raportojnë rastet në çdo rast të cenimit të të drejtave të tyre.
Në anën tjetër, studentët patën mundësi që t’i parashtrojnë pyetje Komisioneres lidhur me procedura të caktuara dhe çështje të tjera aktuale përkitazi me mbrojtjen e privatësisë.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Ky aktivitet është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).