Prishtinë, 19 prill 2024 –Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të premten ka mbajtur trajnimin e radhës me studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së.
Studentët, fillimisht u njoftuan për procesin legjislativ në Kosovë, për bazën kushtetuese dhe ligjore të palëve që mund të inicojnë projektligje. Më tutje, studentët bashkëbiseduan me trajnerin për dispozitat kushtetuese që u japin të drejtë organeve të caktura dhe qytetarëve të ndërmarrin nisma legjislative. Bashkëbisedimi u përqendrua tek Ligji për Nisma Legjislative dhe tek Rregullorja e Kuvendit të Kosovës. Studentët u njoftuan edhe me Ligjin për Qeverinë dhe Udhëzimin Administrativ për standardet e hartimit të akteve normative.
Me studentët ka vazhduar bashkëbisedimi për parimet themelore të procesit legjislativ. Një pjesë të kohës të trajnimit u përqendrua në parimet kushtetuese mbi të cilat duhet të shkruhen dhe miratohet ligjet në Kuvendin e Kosovës, të jenë në pajtim me Marrëveshjet dhe Instrumentet Ndërkombëtare që zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës, të mos përmbajnë elemente diskriminuese, të jenë ligje që promovojnë interesin e përgjithshëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj si dhe të jenë të përgatitura në tre gjuhë: shqipe, serbe dhe angleze.
Takimi me studentët ka vazhduar me informimin e tyre për procedurën e brendshme parlamentare të shqyrtimit të projektligjeve. Ata janë njoftuar edhe me ndryshimet e reja ligjore për shqyrtimin e veçantë të buxhetit vjetor dhe shqyrtimit të tij edhe në komisionet funksionale në Kuvendin e Kosovës.
Në trajnimin e së hënës, rëndësi e veçantë i është kushtuar të drejtës dhe mënyrës së procedimit të nismave legjislative nga qytetarët e Kosovës. Studentëve, i’u është prezantuar Doracaku për Nisma Legjislative të cilin në shtator të vitit 2023, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë e publikoi së bashku me Forumin për Transparencë Parlamentare.
Më tutje, studentët kanë parë në praktikë se si disa nga projektligjet më të rëndësishme, sikurse ai për pagat në Sektorin Publik, ligji për Zyrtarët Publik dhe ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës – ligje për të cilat, në legjislaturën e VI-të u shpallën të pavlefshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kështu, ata panë në praktikë se si përkundër ekzistimit të tre aktgjykimeve për tre këto ligje, sponsorizuesi i tanishëm, Qeveria e Kosovës solli për miratim projektligje me dispozita të njejta, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me këto aktgjykime, për dy për të cilat nene të caktuara i shpalli të pavlefshme, njejtë sikurse në vitin 2020.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit, vizitat në institucione të ndryshme të ndërlidhura me sistemin e drejtësisë dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Ky aktivitet është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).