Prishtinë, 30 janar 2024 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale ka organizuar punëtorinë e dytë për grupin aktual të studentëve të Klinikës Ligjore të IKD-së.
Temat e trajtuara përgjatë kësaj punëtorie ishin “Ndërmjetësimi dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve sipas procedurës së ndërmjetësimit” dhe “Arbitrazhi dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve sipas procedurës së arbitrazhit”, që u ligjërua nga ndërmjetësuesi dhe arbitri z. Ilir Gaxha.
Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin studentët të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit patën mundësi të kuptojnë më tepër mbi zgjidhjen alternative të kontesteve, rolin e ndërmjetësuesve, mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla, por edhe të diskutojnë raste nga praktika. Njëkohësisht, studentët mësuan edhe për arbitrazhin si formë alternative të zgjidhjes së kontesteve, procedurën në përgjithësi, rastet e mundshme për t’u zgjidhur përmes arbitrazhit, rolin e arbitrit dhe aspekte të tjera praktike.
Studentët pjesëmarrës patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të shprehin interesimin e tyre për zgjerimin e mëtejmë të njohurive lidhur me këto tema.
Kjo punëtori është mbajtur në gjuhën shqipe, ndërsa për pjesëmarrësit serb, ka pasur përkthim
simultan në gjuhën serbe.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, pastaj procesi i monitorimit të seancave gjyqësore dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.