Prishtinë, 31 janar, 2023 – Studentët e grupit të katërt të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën, kanë përfunduar me sukses edhe aktivitetin e fundit në kuadër të programit katër mujor, duke bërë prezantimin e një seance të simuluar gjyqësore në një nga gjykatoret e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Rasti i prezantuar është ndërtuar dhe prezantuar nga studentët pjesëmarrës nën mentorimin e stafit të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së. Në fund të aktivitetit, studentët janë pajisur me certifikata për pjesëmarrje të suksesshme në programin e Klinikës Ligjore të IKD-së.
Në kuadër të këtij programi, përgjatë katër muajve, studentët kanë përfituar njohuri praktike mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë, përmes pjesëmarrjes në shumë aktiviteteve, si: programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesit të monitorimit, vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, si dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike falas nga Qendra për Ndihmë Juridike e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.