Përfaqësuesit e Qendrës për Ndihmë Juridike të IKD-së realizojnë takime informuese me Policinë e Kosovës dhe Strehimoret

Prishtinë, 24 dhjetor 2021 – Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi, më 22 dhe 23 dhjetor, ka realizuar takime informuese online me drejtorët e drejtorive rajonale të Policisë së Kosovës dhe përfaqësueset e Strehimoreve, si pika të para të kontaktit me viktimat e dhunës në familje apo dhunës me bazë gjinore.

Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë informimi rreth Platformës Online për Ndihmë Juridike falas, e cila është lansuar nga IKD në nëntor të këtij viti, me përkrahje të UN Women Kosovo dhe financim të Bashkimit Evropian dhe ka për qëllim lehtësimin e qasjes në drejtësi, veçanërisht për gratë viktima të dhunës në familje apo të dhunës me bazë gjinore.

Pjesëmarrësit në këto takime janë informuar rreth qëllimit të platformës, përdorimit të saj, si dhe rreth shërbimeve për ndihmë juridike falas që i ofron Qendra për Ndihmë Juridike e IKD-së për grupet e margjinalizuara. Këta pjesëmarrës kanë vlerësuar platformën si shumë të nevojshme dhe të qëlluar për ofrimin e ndihmës juridike falas, veçanërisht për rastet e dhunës në familje, që siç u tha janë rritur dukshëm sidomos gjatë periudhës së pandemisë.

Krahas këtyre aktiviteteve, Instituti i Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me organizata të tjera, do të vazhdojë informimin rreth Platformës Online për Ndihmë Juridike Falas tek grupet më të ndjeshme të grave dhe tek mekanizmat e tjerë relevant.

Për më tepër, Platformën Online për Ndihmë Juridike falas mund ta vizitoni në këtë link: https://platforma.ndihmajuridikeikd.org/.

#changingmindstoEVAW