Prishtinë, 09 gusht 2024 – Të premten, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi, duke vlerësuar avancimin e pozitës dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë, në veçanti në baza gjinore.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi u nënshkrua nga z. Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i IKD-së dhe znj. Luljeta Demolli, Drejtore Ekzekutive e QKSGJ-së.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është promovimi dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, në veçanti në baza gjinore, përmes formave të mbrojtjes gjyqësore, këshillave ligjore dhe formave tjera që sigurojnë realizimin e të drejtave në procedurë penale, civile dhe administrative. Ndër të tjera, QKSGJ do të mund t’i referojë rastet tek IKD për të kërkuar ndihmë juridike falas nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD).
Ndryshe, që nga prilli i vitit 2024, Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD-së ka nënshkruar marrëveshje partneriteti me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, duke u bërë kështu një nga gjashtë organizatat e shoqërisë civile në vend që ka plotësuar kriteret për ofrimin e ndihmës juridike falas në Kosovë.