Fillojnë aktivitetet me grupin e katërt të studentëve të Klinikës Ligjore të IKD-së

Prishtinë, 6 tetor 2022 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të enjten ka filluar me mbajtjen e aktiviteteve që zhvillohen me studentët e Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Aktiviteti i parë ka përfshirë ofrimin e ndihmës juridike falas përmes trajtimit të një rasti real të pranuar në Qendrën për Ndihmë Juridike falas të IKD-së. Me këtë rast, studentët kanë shqyrtuar provat e dorëzuara dhe bashkërisht kanë diskutuar për bazën ligjore dhe mënyrën e zgjidhjes së rastit.

Kështu, ata kanë pasur mundësi që në mënyrë praktike të shohin, mësojnë dhe praktikojnë hartimin e një ankese nga fusha e kundërvajtjeve. Gjatë gjithë kohës, studentët këtë aktivitet e kanë zhvilluar nën mentorimin e koordinatores së Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së, Arrita Rezniqit.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të programit të Klinikës Ligjore të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së, me mbështetjen e fondeve të UNMIK-ut.

Paraprakisht, studentët pjesëmarrës, të martën kanë mbajtur një sesion informues lidhur me aktivitetet që do të zhvillohen dhe të njëjtit kanë arritur të kuptojnë më tepër mbi punën që bëhet nga IKD dhe përfshirjen e tyre në këtë aspekt.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD gjatë tre muajve në vijim, do të jenë pjesë e aktiviteteve të tjera si procesi i monitorimit në gjykata, vizitat nëpër institucione të caktuara, trajnimet profesionale, punëtoritë me tema të ndryshme dhe ndërtimi e prezantimi i një rasti gjyqësor në formë të gjykimit të simuluar.