Prishtinë, 05 mars 2024 – Studentët e grupit të gjashtë të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën, kanë përfunduar me sukses edhe aktivitetin e fundit, duke bërë prezantimin e një seance të simuluar gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Rasti i simuluar është ndërtuar dhe prezantuar nga studentët pjesëmarrës nën mentorimin e stafit të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së. Ndërsa pas përmbylljes së programit, të njëjtit janë pajisur me certifikata për pjesëmarrje të suksesshme në programin e Klinikës Ligjore të IKD-së.
Në kuadër të këtij programi, studentët kanë përfituar njohuri praktike mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë, përmes pjesëmarrjes në shumë aktiviteteve, si: programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj përmes trajnimeve, punëtorive, e diskutimeve të ndryshme, pastaj procesi i monitorimit, vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, si dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike falas nga Qendra për Ndihmë Juridike e IKD-së.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.