Prishtinë, 15 shkurt 2024 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale kanë organizuar punëtorinë e tretë për këtë grup të studentëve të Klinikës Ligjore të IKD-së.
Tema e trajtuar përgjatë kësaj punëtorie të së hënës ishte “Gjykata Komerciale dhe rëndësia e drejtësisë komerciale”, që u ligjërua nga nënkryetarja e Gjykatës Komerciale, gjyqtarja Saranda Bogaj – Sheremeti.
Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin studentët, të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit u informuan nga gjyqtarja Bogaj – Sheremeti mbi themelimin, kompetencën dhe funksionimin e Gjykatës Komerciale, mënyrën e trajtimit dhe llojet e lëndëve që pranohen në këtë gjykatë, aspektin praktik të punës, rëndësinë e të drejtës komerciale, sfidat dhe në përgjithësi zhvillimin që ka pasur e drejta komerciale në vendin tonë.
Studentët pjesëmarrës patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe kuptojnë më shumë lidhur me çështje të caktuara që përfshijnë drejtësinë komerciale.
Kjo punëtori është mbajtur në gjuhën shqipe, ndërsa për pjesëmarrësit serb, ka pasur përkthim simultan në gjuhën serbe.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, pastaj procesi i monitorimit të seancave gjyqësore dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.