“Ndërmjetësimi si mekanizëm alternativ për zgjidhjen e kontesteve”, punëtoria e parë për grupin e katërt të studentëve të Klinikës Ligjore

Prishtinë, 14 tetor 2022 – Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale kanë organizuar punëtorinë e parë për studentët e Klinikës Ligjore.

Tema e trajtuar përgjatë kësaj punëtorie të së premtes ishte “Ndërmjetësimi si mekanizëm alternativ për zgjidhjen e kontesteve”, që u ligjërua nga ndërmjetësuesi i licencuar, avokati Yll Zekaj.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin studentët, të cilët janë pjesë e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të njëjtit u informuan nga z. Zekaj mbi zgjidhjen alternative të kontesteve, rolin e ndërmjetësuesve, mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla, praktikat në këtë aspekt dhe zhvillimin që ka pasur instituti i ndërmjetësimit në vitet e fundit në Kosovë.

Kjo punëtori është mbajtur në gjuhën shqipe, ndërsa për pjesëmarrësit serb, ka pasur përkthim simultan në gjuhën serbe.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, pastaj procesi i monitorimit të seancave gjyqësore dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.

Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.