Prishtinë, 03 qershor 2022 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar të premten Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Ata janë pritur nga Komisionerja e AIP-së, znj. Krenare Sogojeva dhe Drejtori i Përgjithshëm i AIP-së, z. Valon Kryeziu.
Komisionerja e AIP-së, znj. Sogojeva i ka informuar studentët për rolin e AIP-së, procedurën që ndiqet në raste të ndryshme, pastaj ka ndarë me ta edhe raste nga praktika, duke i informuar studentët mbi të drejtat e tyre dhe rrugët që mund t’i ndjekin.
Edhe Drejtori i Përgjithshëm i AIP-së, z. Valon Kryeziu i ka informuar studentët pjesëmarrës mbi bazën ligjore përmes së cilës funksionon agjencia dhe mjetet juridike që kanë në dispozicion në rast të cënimit të të drejtave të tyre.
Studentët pjesëmarrës po ashtu patën mundësi që t’i parashtrojnë pyetje Komisioneres së AIP-së dhe Drejtorit të Përgjithshëm të kësaj Agjencie, lidhur me raste dhe procedura të caktuara dhe njëkohësisht të informohen më shumë sesi të parashtrojnë ankesë pranë këtij institucioni, kurdo që konsiderojnë se u janë cenuar të drejtat e tyre.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.